KUR'ANI i SHENJTË 
 

 
53.Suretu En Nexhm 

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! 

1. Pasha yllin kur bie! 
2. Shoku juaj nuk ka humbur, e as që ka devijuar 
3. Dhe ai nuk flet nga dëshira 
4. Ajo nuk është tjetër pos shpalljes që i shpallet 
5. Atë ia mësoi fuqiforti (Xhibrili) 
6. Që ka mendje precize dhe që u përqëndrua në formën e vet 
7. Dhe ai (Xhibrili) ishte në horizontin e lartë 
8. Pastaj u lëshua dhe iu afrua 
9. E ishte afër sa dy harqe, apo edhe më afër 
10. Dhe i shpalli robit të Tij (All-llahut) atë që ia shpalli. 
11. Zemra nuk mohoi atë që pa 
12. A po i bëni polemikë atij për atë që ka parë? 
13. Ai e ka parë (Xhibrilin) edhe herën tjetër 
14. Te Sidretul Munteha 
15. Pranë së cilës është xhennetul Me’va 
16. Atëherë kur Sidrën e mbuloi ajo që e mbuloi 
17. Shikimi i tij nuk lakoi e as nuk tejkaloi 
18. Ai vërtet pa disa nga shenjat më të mëdha të Zotit të vet 
19. E ju, a shihni Latin dhe Uzanë? 
20. Dhe atë të tretin, të pavlefshmin? 
21. A mendoni se për ju janë meshkujt, e për Të fe-mrat? 
22. Atëherë ajo është një ndarje e padrejtë! 
23. Ata (që i adhuroni) nuk janë tjetër, vetëm se emra që ju dhe prindërit tuaj i emërtuat; All-llahu nuk zbriti për ta ndonjë fakt. Por ata (idhujtarët), nuk ndjekin tjetër vetëm se paragjykime dhe çka duan vetë, megji-thqë prej Zotit të tyre u pat ardhur udhëzimi 
24. A mos i takon njeriut ajo që dëshiron? 
25. E dihet se vetëm All-llahut i takon bota tjetër dhe kjo botë 
26. E sa engjëj ka në qiej, ndërmjetësimi i të cilëve nuk bën dobi vetëm pasi që All-llahu të japë leje për atë që dëshiron dhe me të cilën është i kënaqur 
27. Ata që nuk e besojnë jetën tjetër, engjëjt i emërto-jnë me emra femrash 
28. Ata nuk dinë asgjë për atë (emërtim) dhe nuk ndjekin tjetër vetëm paragjykime, e paragjykimi nuk është asgjë ndaj së vërtetës 
29. Andaj ti largohu prej atij që ia ka kthyer shpinën Kur’anit dhe që nuk do tjetër pos jetës së kësaj bote! 
30. Ajo është e tërë dituria që kanë arritur, e Zoti yt di më së miri për atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai di më së miri për atë që është në rrugën e drejtë 
31. Dhe vetëm të All-llahut janë ç’ka në qiej dhe në tokë - për t’i shpërblyer ata që bënë keq me të keqen e tyre dhe për t’i shpërblyer ata që bënë mirë me të mirën e tyre 
32. Ata që largohen prej mëkateve të mëdha dhe prej punëve të ndyta, përpos ndonjë pune të imët, s’ka dy-shim se Zoti yt gjerësisht përfshin me falje, se Ai di më së miri për ju edhe para se t’ju krijojë, kur filloi krijimin tuaj nga dheu ndërsa ju ishit të fshehur në barqet e nënave tuaja. Pra mos lavdëroni veten, se Ai e di kush është më i ruajtur 
33. A e ke parë atë që u zmbrap? 
34. Që dha pak e pastaj e ndërpreu? 
35. A mos ka ai njohuri për të fshehtën e po e sheh? 
36. A nuk është informuar me atë që gjendet në fletushkat e Musait 
37. Dhe të Ibrahimit, që gjithnjë plotësonte obligimet 
38. (Në të cilat shkruan) Se askush nuk e bartë barrën e tjetrit 
39. Dhe se njeriut nuk i takon tjetër pos asaj që ka punuar 
40. Dhe se mundi i tij më vonë do të shihet 
41. Pastaj ai shpërblehet ose dënohet më plotësisht 
42. Dhe se kthimi përfundimtar është te Zoti yt 
43. Dhe se Ai jep qeshjen dhe Ai jep të qarit 
44. Dhe se Ai jep vdekjen dhe Ai jep jetën 
45. Dhe Ai krijon llojet - mashkullin dhe femrën 
46. Nga pika e farës që hidhet 
47. Dhe se Ai ringjallë 
48. Dhe se Ai jep pasurinë dhe varfërinë 
49. Dhe se Ai është Zoti i Shi’rasë (ylli polar) 
50. Dhe Ai shkatërroi Adin e lashtë 
51. Edhe Themudin, të cilët nuk i kurseu (nga dënimi) 
52. Edhe popullin e Nuhut më herët, vërtet ata ishin edhe më shkatërrues dhe renegatë 
53. Edhe Mu’tefikën (venbanimin e popullit të Lutit) e lëshoi prej së larti 
54. E i përfshiu ata ajo që i përfshiu 
55. Pra cilës së mirë të Zotit tënd i dyshon? 
56. Ky është një qortues i ngjashëm me qortuesit e parë 
57. E afërta është afruar 
58. All-llahut është i vetmi që do ta tregojë 
59. A këtij ligjërimi po i çuditeni? 
60. E po qeshni dhe nuk po qani?! 
61. E madje jeni edhe të pakujdesshëm! 
62. Pra, bini në sexhde për All-llahun dhe Adhurojeni!        
 

   
 Faqja Kryesore