KUR'ANI i SHENJTË
57.Suretu El Hadid
Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit,
Mëshirëbërësit!
1. All-llahun e lartësoi
me adhurim ç’ka në qiej e në tokë dhe Ai është
i gjithfuqishmi, i urti.
2. I Tij është
pushteti në qiej e në tokë, Ai jep jetë dhe Ai jep
vdekje dhe Ai ka fuqi për çdo send.
3. Ai është i
pari që s’ka mbarim, i dukshmi dhe i padukshmi, dhe Ai është
më i dijshmi për çdo gjë.
4. Ai është që
krijoi qiejt dhe tokën vetëm për gjashtë ditë,
pastaj qëndroi mbi Arsh. Ai e di çka futet në tokë
dhe çka del prej saj, çka zbret nga qielli dhe çka
ngritet në të, dhe Ai është me ju kudo që të
jeni, All-llahu është përcjellës i asaj që punoni.
5. Vetëm i Tij është
sundimi i qiejve dhe i tokës dhe vetëm te All-llahu kthehen të
gjitha çështjet.
6. Ai e ngërthen (e
zgjaton) natën në ditë dhe e ngërthen (zgjaton) ditën
në natë dhe Ai është që i di të fshehtat
në gjoksa.
7. Besoni All-llahut dhe
të dërguarit të Tij dhe jepni nga ajo që Ai u bëri
trashëgues në të, se ata që besuan prej jush dhanë
për hir të Zotit, ata kanë shpërblim të madh.
8. ç’keni ju që
nuk i besoni All-llahut, kue i dërguari i Tij ju thërret t’i
besoni Zotit tuaj dhe kur Ai ka marrë besën tuaj, nëse jeni
besimtarë (o sot o kurrë).
9. Ai robit të vet
i shpall argumente të qarta për t’iu nxjerrë juve prej errësirave
ne dritë. E, s’ka dyshim se All-llahu është i butë
e i mëshirshëm ndaj jush.
10. E, ç’keni ju
që nuk jepni për rrugën e All-llahut, kur dihet se All-llahut
i mbesin trashëgim qiejt dhe toka? Nuk janë të barabartë
prej jush ata që dhanë nga pasuria e tyre dhe luftuan para çlirimit,
sepse të tillët kanë vlerë të madhe nga ata që
dhanë dhe luftuan pas. Por të gjithve All-llahu u premyoi të
mirat; All-llahu di çka punoni.
11. Kush është
ai që i huazon All-llahut një hua të mirë e që
Ai t’ia shumëfishojë atë dhe ai ka një shpërbllim
të mirë.
12. (Përkujto) Ditën
kur i sheh besimtarët dhe besimtaret që drita e tyre flakëron
para tyre dhe në djathtë të tyre. (U thuhet) Myzhde e juaj
sot janë Xhennetet nën të cilat rrjedhin lumenj, aty do
të jeni përgjithmonë. E ajo është fitore e madhe.
13. Ditën kur hipokritët
dhe hipokritet atyre që besuan u thonë: “Na pritni (ose na shikoni)
të ndriçoheni prej dritës suaj!” U thuhet: “Kthehuni prapa
jush (në dynja) e kërkoni ndonjë dritë!” Atëherë
vihet ndërmjet tyre njëfarë muri që ka një derë,
e brendia e tij është mëshirë (Xhenneti), e ana e jashtme
e tij është dënimi (zjarri).
14. (Hipokritët e mbetur
në errësirë) I thërrasin ata (besimtarët): “A
nuk kemi qenë edhe ne së bashku me ju!? (Besimtarët përgjigjen):
“Po, por ju e shkatërruat veten (me hipokrizi), ju prisnit kob të
zi për besimtarët, ju dyshonit çëshjtet e fesë
dhe ju mashtruan shpresat e kota deri kur ju erdhi caktimi i All-llahut
(vdekja) dhe ashtu, mashtruesi ju mashtroi.
15. E sot, prej jush nuk
pranohet ndonjë kompensim e as prej atyre që nuk besuan, vendi
juaj është zjarri, ai është ndihma e juaj: sa përfundim
i keq është ai”.
16. A nuk është
koha që zemrat të zbuten me këshillat e All-llahut dhe ne
atë të vërtetën që zbriti (me Kur’an), e të
mos bëhen si ata, të cilëve u është dhënë
libri më parë e zhgjati koha dhe zemrat e tyre u shtangën
e shumë prej tyre janë jashtë rrugës.
17. Dijeni se All-llahu
e ngjall tokën pas vdekjes së saj. Ne ua kemi sqaruar argumentet
ashtu që të kuptoni.
18. S’ka dyshim se ata që
japin lëmoshë (sadaka) dhe sinqerisht japin për hirë
të All-llahut, atyre u shumëfishohet dhe ata kanë shpërblim
të madh.
19. Ata që besuan All-llahun
dhe të dërguarin e Tij, ata janë të sinqertit dhe dëshmorët
te Zoti i tyre, ata kanë shpërblimin e vet, ndërsa ata që
e mohuan dhe përgënjeshtruan faktet Tona, ata janë banues
të Xhehennemit.
20. Ju njerëz dijeni
se jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se
lojë, kalim kohe në argëtim, stoli, krenari mes jush dhe
përpjekje në shtimin e pasurisë dhe të fëmijve,
e që është shembull i një përpjekje në shtimin
e pasurisë dhe të fëmijve, e që është shembull
i një shiu prej të cilit bima habit bujqit, e pastaj ajo thahet
dhe e sheh atë t verdhë, mandej të thyer e llomitur, e në
botën tjetër është dënimi i rëndë, por
edhe falje mëkatesh dhe dhurim i kënaqësisë nga All-llahu;
pra jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se
përjetim mashtrues.
21. Shpejtoni në atë
që e fitoni falje prej Zotit tuaj dhe Xhennetit që gjërsia
e qiellit e tokës, i përgaditur për ata që i besuan
All-llahut dhe të dërguarve të Tij. Ajo është
dhunti e All-llahut ë ia jep kujt të dojë, All-llahu është
dhurues i madh.
22. Nuk ndodh asnjë
fatkeqësi në tokë e as në trupin tuaj, e që të
mos jetë në shënime (libër - Lehvi Mahfudh) para se
të ngjajë ajo, e kjo për All-llahun është e lehtë.
23. Ashtu që të
mos dëshproheni tepër për atë që u ka kaluar,
e as të mos gëzohi tepër me atë që Ai u ka dhënë,
pse All-llahu nuk e do asnjë arrogant që u lavdërohet të
tjerëve.
24. Të cilët vetë
bëjnë koprraci dhe me koprraci i këshillojnë njerzit.
E kush largohet prej dhënies, le ta dijë se All-llahu është
i begatshëm, i lavdishëm.
25. Ne i dërguam të
dërguarit Tonë me dokumente të qarta dhe Ne zbritëm
me ata librin dhe drejtësinë që t’i përmbahen njerëzit
të së drejtës. Ne e kemi zbritur edhe hekurin që në
të ka forcë të fortë dhe dobi për njerz, e edhe
për t’u ditur te All-llahu se kush ndihmon Atë (rrugën e
Tij) dhe të dërguarit e Tij duke i besuar të fshehtës.
S’ka dyshim se All-llahu është furnizues, mbizotërues.
26. Ne Nuhun dhe Ibrahimin
i zgjodhëm të dërguar e pasardhësve të atyre dyve
ua dhamë pejgamberllëkun dhe librin, e disa prej tyre po shumë
prej tyre mbetën jashtë rrugës.
27. Pastaj vazhduam pas
tyre me të dërguarit Tanë, e pas tyre dërguam Isain
të birin e Merjemes dhe atij ia dhamë Ingjillin, e në zemrat
e ithtarëve të tij dhuruam butësi e mëshirë, ndërsa
murgësinë ata vetë e shpikën. Ne atë nuk ua bëmë
obligim atyre, mirëpo edhe pse kishin për qëllim me të
vetëm të arrijnë kënaqësinë e All-llahut,
ata nuk iu përmbajtën asaj si duhet përmbajtur, prandaj
atyre që besuan, Ne u dhamë shpërblimin e tyre, po shumica
prej tyre janë mëkatarë (jobesimtarë).
28. O ju që keni besuar,
kinie frikë All-llahun dhe vazhdoni me besim ndaj të dërguarit
të Tij, se Ai ju jep dyfish nga mëshira e tij, ju dhuron dritë
që ecni me të, ju falë mëkatet tuaja All-llahu është
mekatfalës, mëshirues.
29. Le ta dinë ithtarët
e librit se ata nuk kanë asgjë në dorë ng mirësia
e All-llahut dhe se të gjithë e mira (pejgamberllëku, shpallja)
është në dorë të All-llahut, e Ai ia jep kujt
të dojë, All-llahu është dhurues i madh.
Faqja
Kryesore