KUR'ANI i SHENJTË
59.Suretu El Hashr
Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit,
Mëshirëbërësit!
1. All-llahun e madhëron
me tesbih (duke i mohuar ato që nuk i takojnë atij) gjithçka
ka në tokë, e Ai është i fuqishmi, i urti.
2. Ai është që
në dëbimin e parë i nxoru prej shtëpive të tyre
ata nga ithtarët e librit, të cilët nuk besuan. Ju nuk menduat
se fortifikatat e tyre do t’i mbronin prej ndëshkimit të All-llahut,
po All-llahu u erdhi atyre nga nuk e kishin menduar dhe në zemrat
e tyre hodhi frikën ashu që me duart e veta dhe me duart të
besimtarëve të rrëzonin shtëpitë e veta; pra merrni
përvojë o ju të zotët e mendjes.
3. Sikur All-llahu të
mos u kishte caktuar atyre shpërnguljen, ata do t’i ndëshkonte
në këtë jetë, kurse në jetën tjetër
ata e kanë dënimin e zjarrit.
4. Këtë për
shkak se e kundërshtuan All-llahun dhe të dërguarin e Tij.
Pra, kush e kundërshton All-llahun, s’ka dyshim se All-llahu është
ndëshkimfortë.
5. Ju nuk këputët
asnjë nga hurmat e buta (fidanët) ose atë e keni lënë
të ngriur në rrënjët e tye, vetëm se me lejen
e All-llahut e për t’i shtypur kundërshtarët.
6. E atë (Pasuri) që
prej tyre All-llahu ia ktheu të dërguarit të vet, ju për
të nuk i keni ngarë as kuajt, as devetë, por All-llahu i
bën mbizotëruesit të dërguarit e vet kundër kujt
të dojë, All-llahu ka fuqi mbi çdo send.
7. Atë që All-llahu
nga banorët e vendeve (jobesimtare) ia dha pa luftë të dërguarit
të vet, ajo i takon All-llahut, të dërguarit, të afërmve,
jetimëve, të varfërve, kurbetçinjve. (Kështu
veprohet) Që ajo të mos ndahet ndërrmjet pasanikëve
tuaj. Çka t’ju jep i Pejgamberi, atë merrmie e çka t’ju
ndalojë, përmbanju dhe kinie frikë All-llahun, se All-llahu
është ndëshkues i ashpër.
8. (Ajo pronë) U takon
muhaxhirëve të varfër, të cilët u dëbuan
prej shtëpive të tyre dhe prej pasurisë së tyre, duke
kërkuar mirasinë dhe kënaqëainë e All-llahut,
dhe që ndihmojnë All-llahun dhe të dërguarin e Tij,
të tillët janë ata të sinqertit.
9. Edhe ata që përgatitën
vendin (Medinën) dhe besimin para tyre, i duan ata që shpërnguleshin
te ata dhe nuk ndiejnë në gjoksat e tyre ndonjë nevojë
(për zili a tjetër) nga ajo që u jepej atyre (muhaxhirëve),
madje edhe sikur të kishin vetë nevojë për të,
ata u jepnin përparësi atyre para vetvetes. Kush është
i ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë
të shpëtuar.
10. Edhe ata që kanë
ardhur pas tyre e thonë: “Zoti ynë, falna ne dhe vëllezërit
tanë që para nesh u pajisën me besim dhe mos lejo në
zemrat farë urrejtjeje ndaj atyre që besuan. Zoti ynë Ti
je i butë, mëshirues!”
11. A nuk e ke ditur se
ata që u bënë hipokritë, u thoshin vëllezërve
të vet nga ithtarët e librit që nuk kishin besuar: nëse
ju dëboheni, edhe ne do të dalim me ju, për çështjen
tuaj, ne kurrë nuk do t’i bindemi askujt (t’ju luftojmë ose t’ju
nënshtrojmë), e nëse luftoheni prej dikujt, ne gjithqysh
do t;u ndihmojmë. All-llahu dëshmon se ata janë rrenacakë!
12. Sikur të dëbohen
ata (ithtarët e librit), nuk do të dilnin me ta edhe sikur të
luftoheshin, nuk do t’u ndihmojnë atyre, po edhe sikur t’u ndihmonin
atyre, ata do të iknin prapa, e ata do të mbesin pa ndihmën
e tyre.
13. Ju (besimtarët)
në zemrat e tyre (ta munafikëve) jeni frikë më e fortë
se All-llahu (frika nga All-llahu). Kjo për shkak se ata janë
popull që nuk kuptojnë.
14. Ata të gjithë
së bashku nuk kanë guxim t’ju luftojnë, vetëm kur gjenden
në ndonjë vend të fortifikuar ose kur janë pas ndonjë
muri. Armiqësia ndërmjet tyre është e ashpër.
Mund të mendohet për ta se janë të bashkuar,e në
reallitet zemrat e tyre janë të përçara, sepse janë
njerëz që nuk logjikojnë.
15. Si shembull i atyre
jo fort moti që përjetuan të keqen e punës së
vet, edhe ata kanë një dënim të rëndë.
16. Ata (hipokritët)
janë shembull si djalli, kur i thotë njeriut: “Refuzo besimin!”,
e kur ai të ketë refuzuar, ai (djalli) tërhiqet prej teje;
unë i frikohem All-llahut, Zotit të gjithësisë!”
17. Dhe ashtu, ata të
dy do të përfundojnë në zjarr përgjithmonë.
Ai është ndëshkim i zullumqarëve.
18. O ju që besuat,
frikësojuni All-llahut dhe le të shikojë çdonjëri
se çka ka bërë për nesër. Dhe frikësojuni
All-llahut! S’ka dyshim se All-llahu është i Njohtuar (Habir)
për atë që punoni!
19. E mos u bëni si
ata që harruan All-llahun, pra (All-llahu bëri që ata) harruan
vetveten! Të tillët janë të Fasikët .
20. Nuk janë të
barabartë banorët e Xhennetit dhe banorët e Xhehennemit.
Banorët e Xhennetit janë të suksesshmit (janë ata që
ia kanë arritur qëllimit).
21. Sikur Ne ta zbritnim
këtë Kur’an mbi ndonjë kodër, do të shihje atë
të strukur e të çarë prej frikës nga All-llahu.
Këta janë shembuj që ua sjellim njerëzve, që ata
të mendojnë.
22. Ai është All-llahu,
nuk ka zot tjetër pos Tij. Dijetari i të fshehtës dhe të
dukshmes, Ai është Mëshiruesi, Mëshirëbërësi!
23. Ai është All-llahu,
pos të Cilit nuk ka zot tjetër, Sunduesi, i Shenjti, i Pastërti
(prej të metave që i mvishen) , Siguruesi, Mbikëqyrësi,
i Plotfuqishmi, Mbizotëruesi , i Madhërishmi. I lartësuar
është All-llahu nga ajo që ia shoqërojnë!
24. Ai është All-llahu,
Krijuesi, Shpikësi, Formësuesi. Të tij janë emrat më
të bukur. Atë e lartëson çka ka në qiej e në
tokë. Dhe Ai është i Fuqishmi, i Urti!
Faqja
Kryesore