KUR'ANI i SHENJTË
64.Suretu Et Tegabun
Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit,
Mëshirëbërësit!
1. Vetëm All-llahut
i shprehin madhërinë e lartësimin çka ka në
qiej dhe çka në tokë, dhe se vetëm e Tij është
i tërë pushteti dhe vetëm Atij i takon falënderimi,
e Ai është i gjithfuqishëm për çdo send.
2. Ai është që
u krijoi juve, e nga ju ka mohues dhe ka besimtarë. All-llahu e sheh
shumë mirë atë që e punoni.
3. Ai krijoi qiejt dhe tokën
me urtësi të përsosur dhe Ai juve u dha formën, e formën
tuaj e bëri të bukur dhe vetëm te Ai është e ardhmja.
4. Ai e di ç’ka në
qiej e në tokë, e di atë që e fshihni dhe atë
që e shfaqni haptazi, sepse All-llahu di edhe atë që mbajnë
në zemrat.
5. A nuk ju erdhi lajmi
i atyre që ishin më parë e nuk besuan, ndaj edhe përjetuan
barrën e rëndë të punës së vet dhe ata kanë
një dënim të idhët.
6. Atë (dënim
e marrin) për shkak se atyre u vinin të dërguarit e vet
me argumente të qarta, e ata thoshin: “A njeriu i thjeshtë do
të na udhëzojë neve?” Dhe ashtu nuk besuan dhe u zmbrapsën,
po All-llahu nuk ka nevojë për ta; All-llahu është
begatshëm, e i falënderuar nga vetvetiu.
7. Ata që nuk besuan,
menduan se kurrsesi nuk do të ringjallen. Thuaj: “Po, pasha Zotin
tim, pa tjetër do të ringjalleni dhe do të njiheni me atë
që keni punuar, e ajo për All-llahun është lehtë!”
8. Atëherë pra,
pranonie All-llahun, të dërguarin e Tij dhe dritën që
e zbritëm Ne. All-llahu është i njohur për atë
që veproni.
9. Ditën e kijametit,
kur Ai u tubon juve, ajo është ditë e mashtrimit (ditën
e kijametit duket se kush është mashtruar). kush beson All-llahun
dhe bën vepra të mira. Ai ia shlyen të këqijat e tij
dhe atë e fut në Xhennete, nëpër të cilat rrjedhin
lumenj; aty do të jenë përgjthmonë, e ai është
shpëtimi i madh.
10. E ata që nuk besuan
dhe përgënjeshtruan argumentet Tona, të tillët janë
banorët e zjarrit; aty do të jenë përgjithmonë,
e ai është përfundim i keq.
11. çfarëdo
e keqe që ndodh (godet), nuk mund të jetë ndryshe, vetëm
sipas caktimit të All-llahut, e kush i beson All-llahut, Ai ia udhëzon
zemrën e tij; All-llahu është i gjithdijshëm për
çdo send.
12. Pra, respektonie All-llahun
dhe respektonie të dërguarin, po nëse nuk e respektoni,
atëherë detyrë e të dërguarit tonë është
vetëm kumtimi i qartë.
13. All-llahu është
Ai që pos Tij nuk ka zot tjetër, prandaj vetëm All-llahut
le t’i mbështeten besimtarët.
14. O ju që besuat,
vërtet, disa nga bashkëshortet tuaja dhe nga fëmojët
tuaj janë armiq tuaj, andaj kini kujdes ndaj tyre, e nëse nuk
merrni masa, nuk ua vini veshin dhe i falni, ta dini se edhe All-llahu
është mëkatfalës, mëshirues.
15. S’ka dyshim se pasuria
juaj dhe fëmijët tuaj janë sprovë, ndërsa ajo
që është te All-llahu, është shpërblim i
madh.
16. Andaj, sa të keni
mundësi ruanu prej dënimit të All-llahut, dëgjoni,
respektoni dhe jepni për të mirën tuaj, e kush i ruhet lakmisë
së vetvetes, të tillët janë të shpëtuarit.
17. Nëse All-llahut
i huazoni diçka të mirë, Ai juve ua shumëfishon atë
dhe ju falë; All-llahu është shumë mirënjohës,
i butë.
18. Është i gjithdijshmi
i të fshehtës e i të dukshmes, është ngadhënjyesi,
i urti.
Faqja
Kryesore