8.Suretu El-Enfal
Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit,
Mëshirëbërësit!
1. Të pyesin ty (Muhammed)
për plaçkën (e fituar në luftë), thuaju: “Plaçka,
(mënyra e ndarjes së saj) është çështje
e All-llahut dhe të dërguarit, prandaj kini frikë All-llahun,
përmirësoni gjendjen e unitetit tuaj dhe nëse jeni besimtarë,
respektone All-llahun dhe të dërguarin e Tij.
2. E, besimtarë të
vërtetë janë vetëm ata, të të cilëve
kur përmendet All-llahu u rrënqethen zemrat e tyre, kur u lexohen
ajetet e Tij u shtohet besimi, dhe që janë të mbështetur
vetëm te Zoti i tyre.
3. Dhe, të cilët
falin (rregullisht) namazin dhe nga ajo, me çka Ne i furnizuam,
ata japin.
4. Të tillët janë
besimtarë të vërtetë dhe për këtë kanë
vende të larta te Zoti i tyre, kanë falje dhe kanë furnizim
në mënyrë të ndershme.
5. (Mospajtimi i tyre për
plaçkë është) Ashtu si ai kur të nxori Zoti
yt nga shtëpia jote për të vërtetën, e një
grup nga besimtarët nuk ishte i kënaqur.
6. Bëjnë polemikë
me ty për të vërtetën pasi që e kishin të
qartë (se ti veron me lejen e Zotit) sikur me qenë se shtyheshin
në vdekje të sigurt.
7. Përkujtoni kur All-llahu
ju premtoi njerën prej dy grupeve se është juaja, e ju dëshironit
t’ju takojë ai (grup) i paarmatosur, ndërsa All-llahu dëshiroi
që me premtimet e Tij ta vendosë të vërtetën,
e të zhdukë në themel mbeturinën e mohusve.
8. Ta forcojë të
vërtetën e ta çrrënjosë të kotën,
edhe pse këtë e urrejnë kriminelët.
9. Përkujtoni kur kërkuat
ndihmë prej Zotit tuaj, e Ai ju është përgjigjur: “Unë
do t’ju ndihmoj me njëmijë engjëj që vijnë një
pas një (grup pas grupi).
10. All-llahu nuk e bëri
atë (ndihmën) për tjetër (t’u japë myzhde) dhe
për t’i forcuar (qetësuar) me të zemrat tuaja, pse ndihma
në realitet është vetëm prej All-llahut. All-llahu
është mbizotërues dhe i urtë.
11. Dhe kur Ai ju kaploi
me një kotje (gjumë) që ishte siguri për ju nga ana
e Tij, ju lëshoi shi nga qielli për t’ju pastruar me të,
largoi prej jush shtimet e shejtanit, e që të fuqizojë bindjen
në zemrat tuaja dhe t’ju përforcoj me të (me shi) këmbët
tuaja.
12. Edhe kur Zoti yt u kumtoi
engjëjve se: “Unë jam me ju, pra, inkurajoni ata që besuan!
Unë do të hedh frikë në zemrat e atyre që nuk
besuan, e ju goditni në qafë e lartë, mëshonju atyre
në çdo gjymtyrë (gishtërinj).
13. Këtë (ndëshkim
për ta) ngase kundërshtuan All-llahun dhe të dërguarin
e Tij, e kush kundërshton All-llahun dhe të dërguarn e Tj,
nuk ka dyshim se All-llahu është ndëshkimfortë.
14. Kështu e keni (dënimin),
pra shijone, e për mohuesit është edhe dënimi i zjarrit.
15. O ju që besuat!
Kur të ndesheni në turmën (që lëviz ngadalë)
e atyre që mohuan,mos ua ktheni shpinën.
16. Kush ua kthen atyre
shpinën, në atë moment veç atij që kthehet për
të luftuar ose përt’iu bashkëngjitur një grupi tjetër,
ai ka tërhequr kundër vetes hidhërimin e All-llahut dhe
vendi i tij është Xhehennemi. E ai është përfundim
i kq.
17. Ju nuk i mbytët
(në të vërtetë) ata, por All-llahu (me ndihmën
që ua dha) i mbyti ata, dhe ti nuk i gjuajte ata, por All-llahu (të
ndihmoi) i gjuajti, e (bëri këtë) për t’i shpërblyer
besimtarët me një dhunti të mirë nga ana e Tij. All-llahu
gjithçka dëgjon dhe di.
18. Ja kjo është
e vërteta. All-llahu dobëson dredhitë e mohusve (kufarëve).
19. Nëse ju (idhujtarë)
kërkuat fitore, ja, ku e keni fitorën, po nëse hiqni dorë
(nga lufta kundër Pejgamberit), ajo do të jetë në dobinë
tuaj, e nëse ju ktheheni, edhe Ne kthehemi. Ana (grumbulli) juaj nuk
do t’ju vlejë asgjë edhe nëse është e madhe, sepse
All-llahu është me besimtarët.
20. O ju që besuat,
respektoni All-llahun dhe të dërguarin e Tij, e mos e braktisni
atë se ju dëgjoni.
21. Dhe mos u bëni
si ata që thanë: “Dëgjuam”, por nuk dëgjojnë.
22. Vërtet gjallesat
më të dëmshme te All-llahu janë ata të shurdhëtit,
memecët, të cilët nuk logjikojnë.
23. Sikur të dinte
All-llahu për ndonjë të mirë prej tyre, do t’i bënte
të dëgjojnë, po edhe sikur t’i bënte të dëgjojnë,
ata do të zbrapseshin të shtrembër.
24. O ju që besuat,
përgjigjuni All-llahut dhe të dërguarit kur ju ftojnë
për atë që ju jetëson (ju ngjall), dhe dijeni se All-llahu
ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij, dhe se
te Ai do të tuboheni!
25. Ruajuni nga sprovimi
(fitneja) që nuk godet vetëm ata që bënë mizori
vetëm prej jush, dhe ta dini se All-llahu është Ndëshkues
i Rreptë.
26. Përkujtoni kur
ishit pakicë e të dobët në tokë, të frikësuar
se do t’ju rrëmbejnë njerëzit, e Ai ju mundësoi vend
të dhe ju përkrahu me ndihmën e Tij, ju furnizoi me të
mira, që të jeni mirënjohës.
27. O ju që besuat,
mos e tradhtoni All-llahun dhe të dërguarin, që të
tradhëtoni amanetet tuaja, ndërsa ju e dini.
28. Dhe, dijeni se pasuria
e juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë, dhe
se te All-llahu është shpërblimi i madh.
29. O ju që besuat,
nëse keni frikë All-llahun, Ai do të vërë udhëzim
(në zemrat tuaja) për ju, do t’ua mbulojë të këqiat,
do t’ua falë mëkatet. All-llahu është dhurues i madh.
30. Përkujto (o i dërguar)
kur ata që nuk besuan thurnin kundër teje; të ngujojnë,
të mbysin ose të dëbojnë. Ata bënin plane, e All-llahu
është më i miri që asgjëson (dredhitë).
31. E kur atyre u lexohen
ajetet Tona (Kur’ani), thonin: “Kemi dëgjuar (këso fjalësh)
dhe sikur të donim edhe ne do të thonim diçka të
ngjajshme me këtëdhe se ky nuk është gjë tjetër
pos mit i lashtë”.
32. Dhe (përkujto)
kur thanë: “O All-llah! nëse është ky (Kur’ani) vërtet
prej Teje, lësho gur nga qielli kundër nesh, ose sillna ndonjë
dënim të idhët.
33. Po All-llahu nuk do
t’i dënojë ata, derisa ti (Muhammed) je në mesin e tyre
dhe All-llahu nuk do t’i dënojë, derisa ata kërkojnë
falje (istigfarë).
34. çka kanë
ata që të mos i dënojë All-llahu, kur ata janë
që pengojnë (të tjerët) nga xhamia e shenjtë (Qabja),
e edhepse nuk janë mbikëqyrës të saj. Kujdestarët
e saj janë vetëm ata që ruhen (të devotshmit), por
shumica e tyre nuk është që di.
35. Lutja e tyre pranë
shtëpisë (Qabes) nuk ishe tjetër veçëse britmë
dhe duartrokitje, prandaj vuane dënimin për shkak se mohonit.
36. Ata që nuk besuan,
shpenzojnë pasurinë e tyre për të penguar nga rruga
e All-llahut. Ata do të shpenzojnë atë dhe ajo do të
bëhet dëshprim i tyre, e madje ata do të mposhten. E ata
që mohuan, do të përmblidhen vetëm në Xhehennem.
37. (Kjo masë) Që
ta dallaojë All-llahu të keqin nga i miri, dhe që të
këqinjët njëri mbi tjetrin, t’i hedhë në Xhehennem.
E të tillët janë më të dëshpruarit.
38. Thuaju atyre që
nnuk besuan nëse heqin dorë (nga rruga e tyre e gabuar dhe besojnë)
do t’u falet e kaluara, po nëse vazhdojnë, ligji (i Zotit), izbatuar
ndaj të parëve ëhtë i ditur (edhe ju do t’ju zë).
39. Luftoni ata derisa të
mos mbetet idhujtari (besim i kotë), e i tërë adhurimi të
bëhet vetëm për All-llahun. Po nëse ata ndalen (i japin
fund mosbesimit), All-llahu është mbikëqyrës për
atë që veprojnë.
40. Po nëse refuzojnë,
ta dini se All-llahu është mbrojtës i juaji. E, sa mbikëqyrës
e ndihmës i mirë është Ai.
41. Ju (besimtarë)
ta dini se një e pesta e asaj që fituat, nga ndonjë send,
i takon (përkujtuesve të) All-llahut, të dërguarit
të Tij, të afërmve të tij (të dërguarit),
jetimëve, nevojtarëve dhe atyre në mërgim, (ky është
përcaktimi i Zotit), nëse keni besuar All-llahun, dhe atë,
(Kur’anin) që ia zbritëm robit Tonë (Muhammedit) ditën
e furkanit (ditën e Bedrit, kur u dallaua e vërteta nga e shtrembëra),
ditën e konfrontimit të dy grupeve. All-llahu është
i fuqishëm për çdo gjë.
42. Kur ju ishit në
bregun e afërt të luginës, e ata në bregun e largët
të saj (ju ishit kah Medina e ata kah Meka), ndërsa karavani
ishte më poshtë prej jush (kah deti). Dhe, sikur të ishit
ju ata që njëri tjetrit i keni caktuar takimin, do ta thyenit
caktimin. Por All-llahu ishte Ai që zbatojë çeshtjen e
kryer tanimë, e të shkatërrojë me argument atë
që u shkatërrua dhe të bëjë të jetojë
me argumentet atë që jetoi. All-llahu vërtet dëgjon
e di.
43. Dhe (përkujto)
kur All-llahu t’i dëftoi ty ata në ëndërr, të
paktë në numër, e sikur t’i dëftonte shumë, ju
do të dobësoheshit e do të grindehsit për çështjen
(e luftës), por All-llahu ju shpëtoi. All-llahu vërtet e
di shumë mirë se ç’mbajnë kraharorët (zemrat).
44. Përkujtoni kur
u takuat (në sheshin e luftës), e Ai bëri që ata në
sytë tuaj të duken pak, e po ashtu edhe ju të dukeni në
sytë e tyre pak; e bëri këtë për të zbatuar
All-llahu një çështje që ishte e vendosur. Vetëm
te All-llahu është përfundimi i çështjeve.
45. O ju që besuat,
kur të konfrontoheni me ndonjë grup, përqëndrohuni
dhe përmendni çdo herë All-llahun që të arrini
fitoren e dëshiruar.
46. Dhe respektone All-llahun
e të dërguarin e Tij, e mos u përçani mes vete e
të dobësoheni e ta humbni fuqinë (luftarake). Të jeni
të durueshëm se All-llahu është me të durueshmit.
47. Mos u bëni si ata
që dolën prej shtëpive të tyre sa për krenari
e për t’i parë bota, e që pengonin nga rruga e All-llahut.
All-llahut nuk mund t’i shpëtojnë me atë veprim të
tyre.
48. Përkujto (Muhammed)
kur shejtani u dha guxim për veprat e tyre dhe tha: “S’ka kush që
mund t’iu mposhtë sot ju, unë jam mbrojtës Juaji!” E kur
u ballafaquan të dy grupet, ai u tërhoq prapa e tha: “Unë
tërhiqem prej jush, unë shoh çka nuk shihni ju, unë
i frikësohem All-llahut. All-llahu ndëshkon shumë ashpër.
49. Kur hipokritët
dhe ata që në zemrat e tyre kishte sëmundje (dyshim) thanë:
“Këta (muslimanët) i ka mashtruar feja e tyre (s’kanë fuqi
të luftojnë). Po kush mbështetet në All-llahun, s’ka
dyshim, se All-llahu është mgadhnjyes i urtë.
50. Sikur t’i kishe parë
engjëjt kur ua marrë shpirtin atyre që mohuan (do të
shihje tmerr), u binin fytyrave dhe shpinave të tyre (para, prapa):
“Shijoni dënimin e djegjes!”
51. Këtë (dënim
e morët) për shkakun e asaj që fituat. All-llahu nuk është
i padrejtë për robtë e Tij.
52. Edhe idhujtarët,
siç e kishte traditë populli i faraonit, e dhe ata që
ishin para tyre, i mohuan argumentet e All-llahut, e për shkak të
mëkateve All-llahu i skatërroi. All-llahu është i plotfuqishëm,
ndëshkues i ashpër.
53. Këtë (masë
ndëshkuese) e bëri ngase All-llahu nuk ishte ndryshues i një
begatie, të cilën ia ka dhuruer një populli, derisa të
ndryshojë ai vetë në vetvete (të bëhet përbuzës
i së mirës) dhe ngase All-llahu dëgjon (çka thonë)
dhe di (çka punojnë).
54. Ashtu siç ishte
traditë e popullit të faraonit dhe atyre që kishin qenë
më parë, që i konsideronin të rreme faktet e Zotit
të tyre, e Ne për këto të këqija të tyre
i shkatërruam, e popullin e faraonit (edhe faraonin) e fundosëm,
por të gjithë këta ishin dëmtues të vetes së
tyre.
55. Krijesat më të
dëmshme te All-llahu janë ata që mohuan, nuk pritet që
ata të besojnë;
56. Këta janë
ata prej të cilëve ti pate marrë premtimin (se nuk do të
ndihmojnë idhujtarët) e të cilin ata nuk e ruajtën
por si çdo herë e thyejnë premtimin e tyre.
57. Po nëse i ndesh
(i zë) ata në luftë, atëherë ti ata (me shkatërrimin
e tyre) shpartallo ata që janë pas tyre, në mënyrë
që të marrin mësim.
58. Nëse ti e tradhtinë
e një populli (ndaj marrëveshjes), atëherë edhe ti
ua dh atyre (marrëveshjen) në mënyrë të njejtë,
sepse All-llahu nuk i do ata që tradhtojnë (fshehurazi).
59. Dhe, ata që mohuan,
mos të mendojnë kurrsesi se shpëtuan, (se na ikën).
Ata nuk mund ta bëjnë të paaftë Atë (zotin)që
i ndjek.
60. E ju përgatituni
sa të keni mundësi force, (mjete luftarake e kuaj të caktuar
për betejë kundër atyre (që tradhtojnë) e me të,
(me përgatitje) ta frikësoni armikun e All-llahut, armikun tuaj
dhe të tjerët, të cilët ju nuk i dini (se kush janë),
e All-llahu i di ata. çkado që shpenzoni për rrugë
të All-llahut, ajo do t’ju konpenzohet dhe nuk do t’ju bëhet
padrejtë.
61. Në qoftë se
ata, anojnë kah paqja ano edhe ti kah ajo, e mbështetu në
All-llahun. Ai është që dëgjon dhe di.
62. Po nëse duan të
mashtrojnë me të (me paqen), ty të mjafton All-llahu. Ai
është që të fuqizojë ty me ndihmën e vet
dhe me besimtarët.
63. Dhe Ai është
që bashkoi zemrat e tyre. Edhe sikur ta shpenzoshe gjithë ata
që është në tokë, nuk do të mund t’i bashkoje
zemrat e tyre, por All-llahu bëri bashkimin e tyre, pse Ai është
i gjithëfuqishëm, i urtë.
64. O Pejgamber! All-llahu
të mjafton ty dhe besimtarëve që janë me ty.
65. O Pejgamber! Nxiti besimtarët
për luftë. Nëse prej jush jaë të durueshëm,
(trima të fqishëm), do t’i mundni dyqind, e nëse janë
njëqind, do t’i mundni njëmijë sish që nuk besuan,
për shkak se ata janë njerëz që nuk kptojnë (pse
luftojnë).
66. All-llahu ju bëri
lehtësim tash duke ditur se jeni dobësuar. Nëse prej jush
janë janë njëqind të durueshëm, do ti mundni dyqinnd,
e nëse prej jush janë njëmijë, me ndimën e Zotit
do t’i mundni dy mijë. All-llahu është me ata që janë
të durueshëm.
67. Për asnjë
pejgamber nuk ke qe me vend të ketë robër derisa ta ketë
dërmuar me luftë (armikun) në tokë. Ju keni për
qëllimpërjetimet e kësaj bote, ndërsa All-llahu dëshiron
për ju Ahiretin. All-llahu mbizotëron çdo gjë, di
çka është e mirë për robtë.
68. Po të mos ishte
dispozita e hershme e caktuar prej All-llahut (që të mos dënohet
ai që përpiqet, po nuk qëllon), juve do t’ju kishte goditur
një dënim i madh për atë që e morët.
69. Pra, (është
e lejuar preja e luftës) hani atë që e fituat me luftë,
si të lejuar dhe të mirë, përmbajuni dispozitave të
All-llahut se All-llahu është Ai që falë dhe që
mëshiron.
70. O Pejgamber! Thuaju
atyre robërve që i keni në duart tuaja se posa të vërejë
All-llahu ndonjë të mirë (besim të drejtë e të
sinqertë) në zemrat tuaja, Ai u jep edhe më shumë të
mira nga ajo çka është marrë nga ju, ua falë
gabimet, se All-llahu falë pa masë, se është mëshirues
i madh.
71. E nëse (robërit)
duan të tradhëtojnë ty, ata më parë tradhtuan
All-llahun, (nuk besuan) e Ai (të ndihmojë), të mundësojë
të ngadhnjesh ndaj tyre. Alahu i di të gjitha ndodhitë,
vepron me urtësinë e Tij.
72. Është e vërtetë
se ata që besuan, u shpërngulën dhe luftuan me pasurinë
e tyre në rrugën e All-llahut, dhe që strehuan (të
shpërngulurit) dhe u ndihmuan, të tillët janë miq të
njëri tjetrit (në ndihmë dhe në trashëgim). Ata
që besuan por që nuk u shpërngulën, ju nuk keni përkujdes
as ndihmë për ta deri sa të shpërngulen edhe ata. E
nëse ata kërkojnë ndihmë prej jush për çështjen
e fesë, atëherëjeni të obliguar t’u ndihmoni, përveç
nëse është puna kundër një populli që me
të keni marrëveshje (nuk mund t’u ndihmoni në luftë
kundër atij populli). All-llahu mbikëqyr atë që veproni.
73. Ata që e mohuan
të vërtetën janë miq të njëri-tjetrit. E
nëse nuk e bëni atë (të ndihmoni e të kujdeseni
njëri-tjetrin), bëhet trazirë dhe rrëmujë e madhe
në tokë.
74. Po at që besuan,
migruan dhe luftuan për rrugën e All-llahut, dhe ata që
strehuan dhe ndimuan, janë besimtarë të vërtetë.
Atyre u takon falje (e mëkateve) dhe furnizimi në mënyrë
të ndershme.
75. Ndërsa edhe ata
që besuan më vonë, e që u shpërngulën dhe
luftuan së bashku me ju, janë të njejtë me ju (në
të drejta). E, (sipas dispozitave), farefisi ka më përparësi
ndaj njëri-tjetrit (se sa ensarët e muhaxhirinët). All-llahu
di në hollësi për çdo send.
[Faqja Kryesore